BERISHA: INVESTIMET E HUAJA DIREKTE JANË PUNËSIM

"Investimet e huaja direkte janë punësim", deklaroi Kryeministri Sali Berisha në rrjetin social "Facebook".

Berisha: Investimet e huaja direkte janë punësim
Postuar më 29.03.2013 08:04:53 UTC
Përditësuar më 29.03.2013 08:10:53 UTC

Duke iu referuar vizitës së tij në fabrikën e Coca Cola-s në Shqipëri, investimi i parë i drejtpërdrejtë në vendin tonë, kreu i qeverisë informoi se punësimi është qëllimi kryesor i qeverisë.

"Bisedova për rreth 2 orë me mbi 150 pronarë dhe përfaqësues të bizneseve të huaja që operojnë në vendin tonë, për të parë se ku jemi sot krahasuar me vitin 2005, dhe çfarë PD mund të bëjë për ta nxitur biznesin dhe Shqipërinë që të ecë përpara", shprehet Kryeministri Berisha.

Taksa jonë e sheshtë dhe tregjet tona të hapura të energjetikës, minierave, bankave dhe financave, infrastruktura moderne që po ndërtojmë, vijon ai, e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse në rajon për bizneset e huaja, dhe të renditet sipas UNCTAD në vendin e 18-të në botë për thithjen e investimeve të huaja. Këto investime, shprehet Kryeministri, në 4 vitet e fundit të marra së bashku arritën në 4.2 miliardë dollarë. "Këto investime të huaja, që shtrihen në të gjitha fushat e veçanërisht në energji, kanë një kuptim: vende pune. Tashmë investimet e huaja kanë krijuar 47 mijë vende pune me paga të larta për shqiptarët. Ndërtimi e hidrocentraleve në partneritet me investitorët e huaj dhe vendas, kanë punësuar 15 mijë qytetarë", theksoi Berisha.

Ne parashikojmë, vijoi ai, që gjatë mandatit të ardhshëm të punësohen në ndërtimin e tyre rreth 30 mijë vetë. "Ne kemi bërë hapa të mëdhenj me investimet e huaja, por kemi ende për të bërë për të krijuar vende pune. Ne synojmë që në mandatin e ri investimet e huaja në Shqipëri të arrijnë në 6 miliardë dollarë. Heqja e taksës mbi makineritë dhe çdo kapital për bizneset, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale për punëtorët me rrogë nën 30 mijë lekë, marrja e statusit të vendit kandidat në BE, projektet e mëdha si TAP dhe Kaskada e Devollit, turizmi, privatizimet në energji e miniera do të rrisin shumë investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të punës", tha Berisha.

Ne do të vazhdojmë të ecim përpara, shprehet më tej Kryeministri Berisha, për të miratuar 3 ligjet e integrimit evropian dhe do të avancojmë me Kaskadën e Devollit dhe gazsjellësin TAP, për t’i hapur dyert edhe më shumë vendeve të punës, dhe pagave më të mira. "Punësimi është qëllimi ynë dhe ne mbajmë premtimet tona", deklaroi Berisha.